.
Published On: Thu, Jul 19th, 2018

Riparohet defekti, rikthehet furnizimi me ujë

Share This
Tags

Ekipi profesional i KRU “Gjakova” pas një pune të mundimshme gati 24 orëshe pandërprerë, ka arritur që mëngjesin e së enjtes të eliminojë defektin e shkaktuar nga pëlcitja e gypit kryesor të furnizimit me ujë i vjetër 40 vjet.

Defekti ka ndodhur të mërkuren rreth orës 17:40 në fshatin Lugbunar në afërsi të Aeroportit të Gjakovës ku ka shpërthyer gypi kryesor Ø 1100 ku menjëherë shërbimi teknik i kompanisë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe është mobilizuar për sanimin e defektit.

Defekti ka qenë në pozitë shumë të papërshtatshme për të intervenuar, në një thellësi rreth 5 metra. Ekipi i mirëmbajtjes ka punuar gjatë gjithë natës dhe në kohë rekord, diku rreth orës 5:30 të mëngjesit është arritur sanimi i defektit, ndërsa në ora 7:00 ka filluar lëshimi i furnizimit ta rrjetit me ujë.

Meqë rrjeti ka qenë i zbrazët në tërësi është dashur 5 deri në 6 orë kohë që të mbushen mbi 700 kilometra gypa në rrjetin e ujësjellësit “Gjakova”. Sipas kompetentëve, diku rreth orës 16:00 pritet stabilizimi i përgjithshëm i furnizimit me ujë te pijes në të gjithë zonën e shërbimit të KRU “Gjakova”.

Kjo kompani ka falënderuar të gjithë konsumatorët për bashkëpunim dhe mirëkuptim, njëkohësisht i garanton se punëtorët dhe stafi menaxhues i KRU “Gjakova” do të jetë në funksion 24 orë në shërbim të qytetarëve.

Gjithashtu janë përgëzuar punëtorët e palodhshëm, të cilët pa ndërprerë u angazhuan që ky defekt të evitohet sa ma shpejtë, për çka kryeshefi ekzekutiv Ismet Ahmeti, në kuadër të kompetencave ligjore do të shpërblejë të gjithë punëtorët e angazhuar./radiogjakova/