.
Published On: Fri, Oct 6th, 2017

Çaushi: Do të investojmë në çdo lagje

Share This
Tags

Kandidati për kryetar të komunës së Gjakovës nga radhët e Levizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi, shpalosi programin e tij para banorëve të bashkësisë së parë lokale.

Çaushi tha se pjesë e programit të tij është projekti “Ringjallja e hapësirave publike” që nënkupton investime në çdo lagje të komunës së Gjakovës.

Duke folur për arsimin, Çaushi tha se gjatë qeverisjes së tij do të hapen edhe 3 kopështe të reja për fëmijë në qendër të qytetit dhe në lagjet “Dardani” e “Brekoc”.

“Për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën do të ketë shujta falas, shkollat do të pajisen me laboratorë, mjete konkretizuese dhe kënde të leximit. Do të rrisim fondin e bursave për studentë dhe program për mbështetjen e nxënësve dhe studentëve të talentuar”, u shpreh Çaushi.

Ai premtoi edhe transparencë të plotë gjatë rekrutimit të stafit të ri në sistemin arsimor.

Në mbështetje të Çaushit ishin edhe deputetët Dardan Molliqaj dhe Arbërie Nagavci. Të dy ftuan qytetarët që të votojnë kandidatët për Asamble të këtij subjekti dhe kandidatin për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje./radiogjakova/