.
Published On: Tue, Feb 27th, 2018

Mësim në ambient të hapur, klasat eko së shpejti në shkollën “Fehmi Agani”

Share This
Tags

Nxënësit e shkollës “Fehmi Agani” së shpejti mund të ndjekin mësimet në klasa të improvizuara në ambient të hapur në oborrin e kësaj shkolle.

Kjo falë një granti prej 10 mijë dollarësh të Bankës Botërore të cilin e fitoi kjo shkollë me projektin “Krijimi i këndit ekologjik të shkollës dhe avancimi i aktiviteteve edukative e rekreative”. Në këtë shumë, me 500 dollarë do të kontribuojë edhe Drejtoria e Arsimit.

Drejtoresha e kësaj shkolle, Majlinda Doli, tha se qëllimi kryesor i këtij projekti është që tek nxënësit të zhvillohen inteligjencat e shumëfishta si dhe të vetëdijesohen lidhur me ruajtjen dhe kultivimin e një mjedisi të pastër dhe të shëndetshëm.

Ky projekt do të realizohet në dy faza. Në të parën përfshihet improvizimi i dy klasave ekologjike në ambient të hapur në pjesën lindore të oborrit të shkollës, ndërsa në fazën e dytë përfshihet avancimi i aktiviteteve edukative dhe rekreative në këndin ekologjik.

Këto dy klasa do të ndahen me mur të gjelbër, ku do të vendosen banka shkollore dhe karrige ku nxënësit do të kenë mundësi të punojnë me grupe. Klasat janë paraparë të mbulohen me strehë ekologjike të improvizuar në mënyrë që nxënësit të jenë të mbrojtur nga kushtet atmosferike.

Hapësira rreth rrethojës së oborrit të shkollës do të gjelbërohet me fidane të bimëve të ndryshme, por dhe me pemë frutore si mollë, dardhë, kumbulla etj. Mbjellja do të bëhet nga nxënës, mësimdhënës e prindër.

“Nxënësit e motivuar nga bukuritë e natyrës përreth tyre do të zhvillojnë aktivitete të ndryshme si në fushën e gjuhëve dhe komunikimit do të frymëzohen për të lexuar, për të krijuar poezi, ese, libra apo duke luajtur drama; në fushën e matematikës duke zgjidhur probleme përmes lojërave mësimore; në fushën e arteve duke vizatuar, pikturuar, duke luajtur me instrumente të ndryshme muzikore, duke kënduar apo vallëzuar”, u shpreh drejtoresha Doli.

Ajo tha se dëshirojnë që implementimi i këtij projekti të nis në muajin mars, por mund të jenë të detyruar të shtyjnë për shkak të procedurave dhe kohës që kërkohet për kalimin e mjeteve në llogarinë e Drejtorisë së Arsimit./radiogjakova/