.
Published On: Mon, Feb 9th, 2015

Gjeraj: Jam lodhur duke luftuar për mbijetesë

Share This
Tags

robert-gjerajRobert Gjeraj është emër i njohur dhe i respektuar në futbollin kosovar. Qe tetë vjet është lojtar shumë i rëndësishëm i Vëllaznimit. Por, thuajse gjatë gjithë këtyre viteve, futbollisti prizrenas e ka hequr “të zinjtë e ullirit” në Gjakovë, prej të cilit qytet assesi nuk mund të largohet, pasi është shumë i lidhur emocionalisht me gjakovarët dhe me klubin kuqezi.

“Gjatë gjitha këtyre viteve, me Vëllaznimin e kam fituar vetëm Kupën e Kosovës në edicionin 2007/08”, kujton Gjeraj në një bisedë me “Zërin”.

Ky është suksesi më i madh i tij me fanellën kuqezi, të cilën assesi nuk e zhvesh, ani pse është lodhur e rraskapitur duke e bartur atë nëpër luftëra veç për mbijetesë.

Deri më tani, Gjeraj ka luftuar katër vjet për mbijetesë në Superligë me Vëllaznimin. Dy herë kishte shpëtuar, kurse njëherë tjetër kishin mbijetuar nëpërmjet barazhit, por njëherë kishin rënë në Ligën e Parë, por u rikthyen në fund të edicionit të kaluar.

Por, tani rrezikon të largohet sërish. Kriza financiare e klubit ka bërë që Gjeraj të bëhet gati që të luftojë për herë të pestë për ekzistencë me Vëllaznimin e tij.

“Si s’jam lodhur, kjo është ngarkesë shumë e madhe psikike. Është shumë e tepërt, saqë nuk di as si ta përshkruaj. Këto rreziqe të njëpasnjëshme për të rënë nga Superliga i shijova pas tri vjetëve sa kisha luftuar për titull të kampionit me Besën, ku patra luajtur para se të vija në Vëllaznim. Jam bërë kampion në Pejë, por lufta për mbijetesë është shumë e keqe”, deklaroi Gjeraj.

“Në këso situatash, as kundërshtarët nuk të respektojnë. Vëllaznimi është klub i madh, me renome dhe gëzon respekt në çdo kohë. Por, duke luftuar gjithnjë për mbijetesë rrezikon ta humbasësh edhe respektin. Është pikërisht qyteti dhe tradita që ka klubi që unë të forcohem thuajse vit pas viti për t’i përballuar edhe këto sfida të vështira. Por, asnjëherë nuk e kam humbur shpresën për ditë më të mira për Vëllaznimin dhe nuk do ta humbi kurrë”, përfundoi Gjeraj./zeri/