Humb jetën basketbollisti Gazmend Sinani, detajet e aksidentit të rëndë në rrugën transite
Basketbollisti i përfaqësueses së Kosovës, Gazmend Sinani, ndërroi jetë mëngjesin e së shtunës pas një aksidenti rrugor që ka ndodhur në rrugën transite në Gjakovë, përkatësisht në afërsi të Pallatit të Sporteve “Shani Nushi”, rreth orës 01:30 minuta.
Lajmi është bërë i ditur nga Federata e Basketbollit të Kosovës dhe nga Policia e Kosovës në Gjakovë. Viktima Gazmend Sinani ka ndërruar jetë në vend të ngjarjes. Bashkë me të në automjet kanë qenë edhe 4 anëtarë të tjerë të përfaqësueses së Kosovës në basketboll, vëllezërit Granit e Fisnik Rugova, si dhe Altin Morina dhe fiziterapisti i ekipit Kujtim Shala të cilët pësuan lëndime trupore.
Siç është bërë e ditur, të lënduarit në fillim kanë marrë trajtim në spitalin rajonal të Gjakovës. Tre prej tyre më pas janë dërguar në QKUK për shërim te mëtejshëm. Ndërsa i lënduari Altin Morina është ndalur në spitalin e Gjakovës.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës në Gjakovë, Lirije Podrimaj, tha se deri te aksidenti ka ardhur nga pakujdesia e drejtuesit të automjetit, basketbollistit tjetër, Altin Morina i cili ishte duke lëvizur përgjatë rrugës transite.
“Në afërsi të Pallatit të Sporteve, për shkak të shpejtësisë dhe kushteve jo të përshtatshme të rrugës për shkak të lagështisë, ka humbur kontrollin mbi veturën e tij dhe ka dalë jashtë rrugës në anën e djathtë, duke u përplasur me një shtyllë të hekurt dhe më pas është rrotulluar”, ka thënë Podrimaj.
Basketbollisti Sinani i cili ishte viktima e vetme e aksidentit, të premten mbrëma festoi ditëlindjen e 27-të së bashku me shokët e tjerë të ekipit.
Përfaqësuesja A e Kosovës në basketboll ishte në Gjakovë prej së hënës në përgatitje për dy ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës “Kina 2019” kundër Hungarisë dhe Polonisë. E shtuna duhej të ishte dita e tyre e fundit në Gjakovë, pasi përgatitjet skuadra do t’i vazhdonte në Prishtinë.
Si basketbollist, Sinani karrierën e ka nisur në Prishtinë duke kaluar grupmoshat e reja për të vazhduar më pas karrierën në Turqi, ku ishte pjesë e akademisë së Fenerbahçes dhe kombëtareve turke të grupmoshave të reja.
Në Kosovë ka luajtur për Prishtinën, Bashkimin e Rahovecin, kurse në klube të ndryshme turke është paraqitur disa sezone. Më 2017/18 luajti në ligën elite në Angli. Sinani ishte anëtar i kombëtares së Kosovës, që nga pranimi i FBK-së në FIBA.
Në një deklaratë të Federatës së Basketbollit të Kosovës pas këtij aksidenti thuhet se “me humbjen e tij, Kosova ka humbur një prej basketbollistëve më të mirë të gjeneratës, kombëtarja ka humbur njërin prej basketbollistëve më të vlefshëm dhe më luftarak. Angazhimi i tij gjatë përgatitjeve për ndeshjet e qershorit ka qenë inspirim dhe motivim për bashkëlojtarët, kurse qasja e tij profesionale dhe shpirti luftarak do të mbeten në kujtim të secilit adhurues të basketbollit”.
Me rastin e vdekjes së basketbollistit Gazmend Sinani, familjen Sinani dhe Federatën e Basketbollit të Kosovës i kanë ngushëlluar Presidenti i vendit Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, kryekuvendari Kadri Veseli, ministri i Sportit, Kujtim Gashi dhe politikanë e sportistë.
Po ashtu, ngushëllime kanë shprehur edhe klubi i basketbollit Vëllaznimi për meshkuj dhe femra./radiogjakova/