.
Published On: Fri, Mar 24th, 2017

18-vite nga sulmet ajrore të NATO-s

Share This
Tags

Dita e sotme, 24 Marsi, është një nga ditët e kthesës së historisë në Kosovë. 18 vjet më parë, kur Kosova ishte në luftë, NATO-ja nisi ta bombardojë Serbinë. Fillimi i bombardimeve të NATO-s, si për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ashtu edhe për aktorë të tjerë të çështjes së Kosovës, është cilësuar si një ngjarje historike në vend. Qytetarët e Gjakovës, 24 Marsin e 99-tës e mbajnë mend si natën më të gjatë dhe më të llahtarshme të shfrenimit të pushtetit serb ndaj popullsisë së pa mbrojtur civile, në shenjë hakmarrje për fillimin e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe. At natë, u ndez flakë e tërë Çarshia e vjetër e Gjakovës si dhe u vranë në mënyrën më mizore dhjetëra qytetar të pa fajshëm. Bashkë me bombardimet, për 78 ditë me radhë, si në gjithë Kosovën edhe në Gjakovë vazhduan vrasjet, dhunimet, kalljet dhe dëbimet masive të popullsisë shqiptare. Sot ato ditë kujtohen me ankth e dhembje për viktimat e humbura, por me mburrje e krenari për fitoren e arritur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës bashkë me aleatët e NATO-s ndaj regjimit fashist të Millosheviqit. Sot Gjakova po ndërton të ardhmen e re demokratike në truallin e saj të lirë, duke mos harruar për asnjë çast të kaluarën e hidhur dhe dëshmorët e martirët e sajë, që u bënë themel i Kosovës së lirë dhe të pa varur.