.
Published On: Tue, Jul 24th, 2018

Muzikë, libra dhe produkte vendore… “Gjakova feston” për diasporën

Share This
Tags

Muajt e verës kanë rikthyer në vendlindje bashkatdhetarët që jetojnë e veprojnë në shtetet e tjera duke gjallëruar qytetin e Gjakovës.

Për ta shndërruar ardhjen e tyre në festë, Komuna e Gjakovës këtë fundjavë organizon manifestimin “Gjakova feston” ku për tri net tek hapësira te Pazari i vjetër do të ketë muzikë.

Zëdhënësja e Komunës, Nita Efendia, u shpreh se “Gjakova feston” po realizohet për herë të parë dhe se të tilla aktivitet po bëhen për të festuar së bashku me diasporën.

“‘Gjakova feston’ është një format që erdhi këtë vit. Diaspora e meriton. Edhe pse Ministria e Diasporës organizon javën e bashkatdhetarëve, por ne menduam që në Gjakovë të organizojmë diçka më ndryshe. Muzika gjithmonë na bashkon. Kësaj radhe do të kemi më shumë muzikë rok”, u shpreh Efendia.

Gjatë tri netëve që do të nisin të premten  e 27 korrikut e do të vazhdojë edhe të shtunën e të dielën do të performojnë grupet dhe këngëtarët më të kërkuar. Efendia tha se presin që të krijohet një atmosferë e bukur gjatë këtyre netëve.

“Në natën e parë do të performojnë Elita 5, në natën e dytë Vedat Ademi dhe Jericho, ndërsa natën e tretë do të jenë Fisnikët dhe Hekuran Krasniqi. Presim që vërtetët të jenë tri net feste për të gjithë dhe të festojmë si një familja e madhe”, vijoi Efendia.

Megjithatë, gjatë kësaj fundjave nuk do të ketë vetëm muzikë. Shtëpitë botuese do të kenë mundësi që gjatë këtyre tri ditëve në ambientet e Muzeut Etnografik të organizojnë një panair libri ku lexuesit do të kenë mundësi të njihen me titujt më të ri të librave.

“Përpos muzikës kemi menduar të kemi edhe stendat e librave shqip. Botuesit nga të gjitha trojet shqiptare do të kenë mundësi të ekspozojnë librat dhe lexuesit të mund t’i blejnë. Aty tek muzeu ku do të vendosen do të ketë mundësi edhe të bëhen diskutime të ndryshme rreth këtyre titujve”, u shpreh zëdhënësja e Komunës.

Po ashtu, gjatë kësaj feste do të bëhet edhe promovimi i produkteve vendore. “Të gjithë partnerët tanë që na kanë ndihmuar në realizimin e këtij projekti janë kompani që sjellin produkte vendore, prandaj do të kemi mundësi të promovojmë këto produkte që janë të cilësisë së lartë”, tha Nita Efendia./radiogjakova/