.
Published On: Wed, Mar 7th, 2018

7 Marsi, Gjini takon mësuesen dhe uron mësimdhënësit gjakovarë

Share This
Tags

Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini takoi paraditen e së mërkruës mësuesen e tij Nanie Nixha si dhe shfrytëzoi rastin të uronte të gjithë mësimdhënësit gjakovarë në Ditën e Mësuesit.

“Tash kur jemi të lirë dhe jemi shtet, e kemi të qartë që arsimi ishte njëra ndër shtyllat kryesore të kësaj lirie dhe të kësaj shtetësie. Një e kaluar e tillë e arsimit shqiptar, padyshim që duhet të jetë mbështetje morale dhe nxitëse për brezat e rinj, që arsimi të vazhdojë të jetë shtyllë e fuqishme e shtetit dhe kombit tonë”, u shpreh Gjini.

Ai shtoi se kërkohet përkushtim dhe besim më i madh se vetëm me dituri dhe me shkolla të suksesshme mund ta forcojmë shtetin. E, sipas tij, kjo përgjegjësi bie mbi supet e brishta të mësimdhënësit.

“Nuk ka një formulë magjike që ta ndriçojë një komunë apo një shtet. Ajo forcë që duhet ta ndriçojë të ardhmen e këtij vendi jeni ju, mësimdhënësit. Ju mund t’ia jepni drejtimin e duhur vendit për shkak se i frymëzoni, i mësoni dhe i dërgoni në rrugë të drejtë ata fëmijë që kalojnë nëpër procesin mësimor”, deklaroi Gjini./radiogjakova/