Gjakova nuk guxon të dorëzohet
Gjakovë- Shoqata e Intelektualëve “Jakova” në Gjakovë ka organizuar debatin me titull “Demokratizimi i proceseve shoqërore në shoqërinë shqiptare”.
Debati në fokus ka pas qytetarin aktiv si parakusht për demokratizimin e shoqërisë. Analisti nga Shqipëria Mustafa Nano, ka tërhequr një paralele ndërmjet qytetarit aktiv dhe atdhetarit. Sipas tij nuk është patriot ai që del në rrugë me flamur kombëtar por ai që ngre zërin kundër zhvillimeve negative në shoqëri.
Panelisti tjetër në këtë debat, organizuar pikërisht në prag të fillimit të fushatës parazgjedhore për zgjedhjet lokale të Nëntorit, Ilir Deda, ka veçuar domosdoshmërinë e daljes në votime duke thënë se Gjakova nuk guxon të dorëzohet.
Në anën tjetër, kryeredaktorja e të përditshmes “Zëri”, Arbana Xharra është ndalur tek guximi i gazetarëve kosovar, si pjesë e rëndësishme e demokratizimit të shoqërisë.
Debati u përshkua me një pjesëmarrje aktive të të pranishmëve, diskutimi i të cilëve u përqendrua tek mundësia e tejkalimit të dukurive negative në shoqëri./radiogjakova/