Certifikohen rezultatet për Asamble, ja votat e këshilltarëve gjakovarë
Gjakovë- Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për Asamblenë e Gjakovës e rrjedhimisht edhe emrat e 35 kandidatëve që kanë fituar ulëse në këtë institucion të lartë komunal. Bazuar në këto rezultate, AKR-ja do të përfaqësohet me 9 ulëse në Asambenë komunale.
Kësaj liste i prinë bartësja Mimoza Kusari – Lila e cila ka marrë 10 mijë e 66 vota për të vazhduar me tetë të tjerët: Jeton Vorfi me 542 vota, Luan Shllaku 536 vota, Hasan Krasniqi me 535 vota,Gjylgjyzare Karaxhija – Xharavina me 472 vota, Mahmut Lila me 340 vota, Masar Lluka me 324 vota, Gent Olloni me 300 vota dhe Sevdije Haxhibeqiri me 264 vota.
Megjithatë, në renditjen e kësaj partie do të ketë një ndryshim, pasi në vend të Mimoza Kusari – Lilës, e cila tashmë është kryetare e Gjakovës, asambleiste do të jetë Rina Domi e cila ka marrë 245 vota.
Me 9 asambleistë do të përfaqësohet edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Kësaj liste do t’i prijë Valon Vula i cili ka marrë 10 mijë e 208 vota e do të ndiqet nga Dervish Tahiri me 750 vota, Hamez Cena 563 vota, Pjeter Ndou me 519 vota, Xhevat Zenelaj me 511 vota, Augustin Shala me 482 vota, Violeta Dema me 213 vota, Saranda Hyseni me 191 vota dhe Mirdita Ademaj me 188 vota.
Të tretët në rradhë janë asambleistët e PDK-së, të cilët kanë arritur të fitojnë 6 ulëse. Bartësi i listës së PDK-së është Ilir Beqiri i cili ka marrë 6 mijë e 762 vota, i pasuar nga Ramadan Hoti me 804 vota, Arben Rogova me 436 vota, Artan Nimani me 388 vota, Dafina Syla me 254 vota dhe Flloza Rexhepi me 180 vota.
Me 4 këshilltarë komunal do të prezentohet edhe LDK-ja, ndërsa përveç Luan Golës me 5 mijë e 117 vota, si bartës i listës nga kjo parti do të përfaqësojnë edhe Elhami Shala me 350 vota, Marigona Sadriu me 158 vota dhe Genta Domi me 154 vota.
Në rradhë vjen PSHDK-ja, e cila do të përfaqësohet nga Janez Frrokaj me 3 mijë e 927 vota, Anton Shala me 680 vota dhe Sofije Nokaj me 142 vota.
Vetëvendosja ka arritur të ketë dy ulëse në Asamble, ulëse të cilat do t’i takojnë bartëses Arbërie Nagavci me 2 mijë e 442 vota dhe të riut Agon Batusha me 191 vota, ndërsa me nga një kandidat do të përfaqësohen edhe Partia e Drejtësisë me Bahri Bokshinme 1 mijë e 140 vota dhe PDKI-ia me Pren Gjinajn që ka marrë 741 vota.
Prej 35 asambleistëve të përzgjedhur, 22 prej tyre do të ulen për herë të parë në ulëset e Asamblesë komunale, ndërsa vetëm njëri prej tyre ka qenë me post politik, konkretisht drejtor komunal nga qeverisja komunale në largim./radiogjakova/