.
Published On: Wed, Dec 11th, 2013

Drejtoria e Arsimit (s’)gabojë me 24 mësimdhënësit

Share This
Tags

fakulteti-edukimit-gjakove1Gjakovë- Me vendim të Drejtorisë komunale të Arsimit, 24 mësimdhënës nga komuna e Gjakovës janë larguar nga lista e pagave për muajt nëntor dhe dhjetor, me arsyetimin se kanë kandiduar në zgjedhjet e 3 nëntorit, dhe si shërbyes civil detyrohen të dalin në pushim vjetor pa pagesë.

Por, një vendim i tillë i ka irrituar këta mësimdhënës, të cilët e kanë quajtur vendimin si të pa drejtë dhe e kanë akuzuar DKA-në për hakmarrje politike.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit në Gjakovë, Sali Maliqi, i cili ka folur në emër të 24 mësimdhënësve të pakënaqur, ka thënë se vendimi i DKA-së është shkelje e rëndë ligjore, gjë që i ka irrituar jashtë mase këtë mësimdhënës. Sipas tij, me Ligjin mbi Arsimin parauniversitar, konkretisht në bazë të nenit 31 të këtij Ligji, punëtorët e arsimit nuk janë shërbyes civil por janë shërbyes profesional publik. Si të tillë ata përjashtohen nga pushimi pa pagesë në rast të pjesëmarrjes në garën zgjedhore.

Nga ana tjetër, zyrtarë të Drejtorisë komunale të Arsimit kanë pranuar se ky vendim mund të jetë i gabueshëm, por nuk kanë pranuar që tërë fajin ta mbajnë mbi supet e veta. Zyrtari ligjor në këtë drejtori Bajram Zymberi ka thënë se vendimin për nxjerrjen në pushim pa pagesë të këtyre mësimdhënësve e kanë marrë pas një kërkese të lëshuar nga ministria e Arsimit, por së fundmi janë detyruar ta anulojnë këtë vendim pas një njoftimi të ri nga ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Zymberi ka njoftuar se tashmë e kanë dërguar një kërkesë në ministritë përkatëse dhe kanë kërkuar që këtyre mësimdhënësve tu paguhen pagat e mbetura në mënyrë retroaktive./radiogjakova/