U arrestuan dhe u lanë të lirë të dyshuarit për fajde
Gjakovë- Në Gjakovë janë arrestuar pesë persona për ushtrimin e veprimtarisë së fajdeve. “Plani operativ është zbatuar nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda, të mbështetur nga Divizioni i Njësive Speciale, Sektori i Hetimeve të regjionit të Pejës dhe stacioni policor i Gjakovës, ku janë arrestuar pesë persona me dyshimin e bazuar se kanë kryer veprën penale ‘fajde’ dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ka thënë Policia.
Gjatë kontrollit, në cilësinë e provave, janë konfiskuar edhe një revole “TT” kalibri 7.62 mm, një revole “Zastava”, kalibri 7.65 mm, dy revole “Bereta”, kalibri 7.65 mm, një pushkë e llojit karabinë, një pushkë gjuetie, kalibri 12 mm, 151 fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe dokumente tjera.
“Të arrestuarit janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, dhe pas intervistës në konsultim me prokurorin është ndaluar për 48 orë njëri nga të dyshuarit, kurse të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në komunikatën e Policisë./radiogjakova/