Siguria në Gjakovë vlerësohet “përgjithësisht e qetë”
Gjakovë- Studentët e Fakultetit Juridik në kuadër të Universitetit AAB në Gjakovë, kanë prezantuar një hulumtim për gjendjen e sigurisë në komunën e Gjakovës, hulumtim i cili është bazuar në intervistimin e rreth një mijë qytetarëve të Gjakovës.
Sipas këtij hulumtimi, gjendja e sigurisë përgjithësisht është cilësuar si e qetë, megjithatë nga respodentët kanë dal disa pakënaqësi të cilat ndikojnë që qytetarët të mos ndjehen shumë të sigurt. Ata kanë përmendur mungesën e ndriçimit publik dhe mos-efikasitetin në disa raste të institucioneve përgjegjëse, policisë, prokurorisë e gjykatës.
Në këtë prezantim kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e këtyre institucioneve, gjegjësisht nënkryetari i Gjykatës Themelore të Gjakovës, gjyqtari Nikollë Komani, prokurori Ali Selimaj dhe eprori policor, kapiteni Avdi Berisha.
Të tre këta i kanë garantuar studentët se institucionet që ata përfaqësojnë po e bëjnë të pamundurën dhe po punojnë maksimalisht që niveli i sigurisë në komunën e Gjakovës të jetë i lartë, por në të njëjtën kohë kanë kërkuar edhe ndihmë nga qytetarët, nga të cilët kanë kërkuar që ta raportojnë çdo rast të krimit, qoftë atë që u ndodh vet atyre, qoftë atë që e shohin tek personat tjerë./radiogjakova/










