.
Published On: Thu, Dec 19th, 2013

Gjakovarët solidarë, dhurojnë ndihma për të varfërit

Share This
Tags

kryqi-kuq-aktiviteteGjakovë- Gjendja ekonomike dhe sociale në komunën e Gjakovës është mjaft e rëndë. Megjithatë, në mesin e bashkëqytetarëve tanë ende ka ndjenja solidare dhe njerëz që përkundër problemeve të tyre, gjejnë mundësi e vullnet që të japin edhe për më të varfrit.

Kjo konfirmohet edhe në organizatën komunale të Kryqit të Kuq të Gjakovës, institucion në të cilin thonë se ndonëse jo në nivel të kënaqshëm, solidariteti i qytetarëve të Gjakovës ende po vazhdon të jetë prezent. Siç ka njoftuar Dushe Lama, sekretare e Kryqit të Kuq, vetëm gjatë ditëve të fundit ka pasur disa donacione në ushqime, veshmbathje e artikuj higjenik, të cilat menjëherë janë shpërndarë tek familjet nevojtare, që gjenden në listat e Kryqit të Kuq.

Në këtë drejtim, nxënësit e Gjimnazit “Hajdar Dushi” kanë grumbulluar veshmbathje të cilat janë shpërndarë tek 16 familje skamnore. Përveç kësaj, këta nxënës edhe janë regjistruar si vullnetar të Kryqit të Kuq dhe kanë bërë vet shpërndarjen e këtyre veshmbathjeve.

Edhe nxënësit e shkollës fillore “Mazllum Këpuska”, kanë grumbulluar e shpërndarë ushqime dhe veshmbathje për 20 familje skamnore, të cilat aktualisht jetojnë në varfëri ekstreme. Sekretarja Lama ka njoftuar po ashtu, se ndihma të tilla kanë dhuruar edhe disa markete në Gjakovë, ndërkaq ka shtuar se edhe klubet Rotarian “Gjakova – Çabrati” kanë shprehur vullnet të dhurojnë veshmbathje, ushqim dhe artikuj higjenik për 10 familje tjera.

E përkundër këtyre, Lama ka vazhduar të apelojë tek qytetarët që sa më shumë të grumbullojnë ndihma për nevojtarët, pasi lista e këtyre familjeve është mjaft e madhe. Ajo ka shtuar se të gjithë ata që dëshirojnë të dhurojnë duhet të lajmërohen në Kryqin e Kuq, institucion ky që disponon me të gjitha listat e familjeve nevojtare./radiogjakova/