Aeroporti i Gjakovës bëhet cak i hajdutëve
Gjakovë- Vetëm një muaj pasi ka kaluar në kompetenca të qeverisë së Kosovës, në aeroportin e Gjakovës kanë filluar të ndodhin vjedhje dhe dëmtime të pronës.
Gjatë ditëve të fundit, persona tash për tash të panjohur kanë dëmtuar dhe vjedhur një sasi të konsiderueshme të kabllove të energjisë elektrike. Këtë e ka konfirmuar edhe komandanti i stacionit policor në Gjakovë Kristë Gjokaj, i cili ka thënë se lidhur me këto vjedhje janë hapur dy raste nga policia, dhe hetimet janë duke vazhduar me intensitet të shtuar.
Nga ana tjetër, për këto raste ka reaguar edhe kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila. Ajo ka pasur së fundmi një takim me zyrtarë policor, nga të cilët ka kërkuar shtim të masave mbrojtëse, për ta siguruar dhe ruajtur territorin e Aeroportit dhe pajisjet që ndodhen në të.
Ndryshe, aktualisht për sigurimin e aeroportit është duke u kujdesur një kompani private e tenderuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. Zyrtarë të kësaj kompanie nuk kanë pranuar të tregojnë se si ka ndodhur vjedhja, me arsyetimin se për këtë duhet marrë leje nga punëdhënësi i tyre, konkretisht Ministria e Tregtisë dhe Industrisë./radiogjakova/