Artan Nimani s’i plotëson kushtet për poziten e Nënkryetarit
Gjakovë- Mimoza Kusari- Lila i ka thënë përfundimisht PDK’së se nuk e do Artan Nimanin për Nënkryetar të Komunës së Gjakovës.
Në këtë formë, koalicioni mes AKR’së dhe PDK’së në këtë qytet është bllokuar pasi PDK ende s’ka propozuar ndonjë emër tjetër për Zëvendës të Mimoza Kusarit.
Zyrtari për informim në Kabinetin e Kryetares së Gjakovës, Ali Tafashiku ka thënë se Artan Nimani s’mund të jetë Nënkryetar i Gjakovës pasi kështu ka vlerësuar Kryetarja Kusari.
“Jo, Kryetarja nuk e ka pranuar Artan Nimanin si Nënkryetar i Komunës së Gjakovës për çështje parimore, jo për çështje personale. Ka mbetur që PDK të propozoi një emër tjetër”, ka thënë Tafashiku, për Express, të premten.
Sidoqoftë, Artan Nimani ka thënë ditë më parë se Mimoza Kusari nuk po e pranon për Nënkryetar veç pse është nga fshati si dhe pse është profesor në Fakultet.
Por, kjo është mohuar nga zyrtarët e Komunës së Gjakovës, sidoqoftë, Ali Tafashiku nuk ka mundur të sqaroi se për çfarë çështjesh parimore bëhet fjalë për kur kanë refuzuar emrin e Nimanit.
“Kryetarja ka vlerësuar se Artan Nimani nuk mund t’u bëjë ballë sfidave që paraqiten para qeverisjes lokale. Ajo ka kërkuar kritere të reja me i dalë në krye detyrave”, ka shtuar ai, transmeton Express.