Kusari-Lila pret përfaqësuesin e ambasadës së Suedisë në Kosovë
Gjakovë- I ngarkuari me punë në ambasadën e Mbretërisë së Suedisë në Kosovë, Henrik Nilsson është pritur nga kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila.
Në këtë takim janë trajtuar disa tema me interes dhe nevojë për komunën e Gjakovës, ku nga kryetarja e Komunës fokusim ka qenë angazhimi i trupave paqeruajtëse të kontingjentit suedez në spastrimin e zonave nga mjetet e pashpërthyera nga lufta e fundit, siç janë zonat përreth ish kazermës, në Mulliq, Lugbunar e gjetiu.
Kjo kërkesë bëhet me qëllim të asgjësimit të këtyre mjeteve të mbetura dhe me rrezik potencial për sigurinë e qytetarëve, dhe si një brengë e tillë ka gjetur përkrahjen e Nilsson, ku së shpejti edhe do të bëhet edhe vlerësimi i terrenit dhe garancitë e duhura të komunës.
Fokusim tjetër në këtë takim nga kryetarja e Komunës ka qenë aktivitetet e mundshme për rininë e komunës së Gjakovës, për mundësinë e ndërtimit të një qendre të re rinore, si dhe për aktivitetet që do të zhvillohen në atë qendër. Gjithashtu, në kontest të përkushtimit ndaj rinisë është kërkuar që edhe të bëhen shkëmbime të ndryshme të aktiviteteve rinore që rinia e komunës së Gjakovës të dalë nga izolimi.
Për qëllimin e këtij takimi, Nilsson ka thënë se “ jemi të gathëm dhe do të shikojmë mundësitë për bashkëpunim me komunën e Gjakovës”. Njëherit, ai ka bërë të ditur se ambasada e Mbretësisë së Suedisë është duke e definuar strategjinë e ndihmesës për Kosovën dhe se në këtë kontest janë të gatshëm të marrin informata për mbështetje të drejtëpërdrejta. Nilsson ka shprehur edhe vlerësimin e tij për nismën e mbajtjes së konferencës së donatorëve për Gjakovën./radiogjakova/










