Komuna kërkon nga qytetarët të paguajnë tatimin mbi pronë
Gjakovë- Drejtoria për Buxhet dhe Financa e Komunës së Gjakovës njofton tatimpaguesit e Komunës së Gjakovës se janë lëshuar faturat e tatimit në pronë për vitin 2014, ka njoftuar Zyra për Informim e KK GJakovë
Pagesa e tatimit duhet të bëhet më së voni deri më 30 qershor për këstin e parë dhe 31 dhjetor për këstin e dytë.
Nëse tatimi në pronë nuk paguhet në datën, ose para datës së përcaktuar për pagesë do t’i shtrohet dënimit në një shumë të hollash që është barabartë me dhjetë përqind të obligimit tatimor.
Gjithashtu, në tatimin e papaguar do të aplikohet edhe kamata prej një përqind, e cila llogaritet në baza mujore.
Çdo person i cili nuk ka marrur faturë për pronën e paluajtshme që posedon apo shfrytëzon, duhet të merr një kopje të faturës tatimore në Zyrën e Tatimit në Pronë në Komunën e Gjakovës, rruga “Nëna Tereze”, nr. 469.
Dështimi në marrjen e faturës tatimore nuk do të ndikojë në afatin për pagesën e tatimit apo aplikimin e ndëshkimit dhe interesit në tatimin e papaguar.
Ankesa lidhur me ndonjë parregullësi në faturën tatimore bëhet me shkrim brenda tridhjetë ditëve nga pranimi i faturës së tatimit, duke i’u drejtuar Bordit Komunal të Ankesave. Forma e ankesës është në dispozicion në Zyrën e Tatimit në Pronë dhe në web faqen tatimineprone-rks.org










