Kusari-Lila kërkon trajtim të barabartë për gjithë të zhvendosurit
Gjakovë- Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila ka pritur shefin e misionit të UNHCR-së në Kosovë, Jo Hegenauer, nga i cili ka marrur njoftimet si dhe shkresën e ripërsëritur, pasi një të tillë më parë i’a ka dërguar qeverisë së shkuar, e cila ka të bëjë me kërkesën për ndarjen e parcelave për personat e zhvendosur të komunitetit RAE, të cilët kanë shprehur gadishmërinë për t’u rikthyer.
Në këtë kontest, bëhet fjalë për 50 familje me 114 persona të cilat që nga zhvendosja e tyre në kohën e pasluftës në vitin 1999, kanë shprehur vullnetin e tyre që nga kampet e Malit të Zit të rikthehen në Komunën e Gjakovës.
Gadishmërinë për t’u ofruar mbështetje konkrete ka shprehur kryetarja Mimoza Kusari Lila, e cila ka bërë të ditur se janë identifikuar dy lokalitete, një në afërsi të “Urës së Lukacit” dhe një tjetër në afërsi të fshatit Hereq, dhe se tani ka mbetur që me Drejtorinë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë të punohet dhe të kryhen detajet tjera. Çështje tjetër e specifikuar rreth të zhvendosurve ka qenë mëyra e ndërtimit të objekteve strehuese, që të jenë kolektive, apo të ketë si mostër ndërtimet në lagjen “Ali Ibra”, apo siç njihet edhe ndryshe, lagja “Kolonia”.
Kjo është potencuar nga kryetarja e Komunës, e cila njiherit në vëmendje të saj ka qenë edhe zhvendosja e popullatës nga fshatrat e Komunës në brendi të qytetit, sidomos atyre të brezit kufitar dhe të cilët jetojnë në kushte jo të mira dhe kryesisht janë në mëshirën e ndihmës së familjarëve të tyre të cilët jetojnë jashtë Kosovës, e prej të cilëve dhe sigurojnë elementet bazike për jetesë.
“Duhet të ketë tretman të barabartë për të gjithë të zhvendosurit” ka kërkuar kryetarja Mimoza Kusari Lila. Shefi i misionit të UNHCR-së në Kosovë, Jo Hegenauer, ka bërë të ditur se nga KE janë ndarë dy milion euro për ndërtimin e 60 shtëpive në tërë Kosovën.
Kjo shumë është konstatuar si jo e kënaqshme, porse nga përfaqësuesit e UNHCR-së është thënë se nëse dëshmohet se do të ketë sukses në implementim të këtij projekti, KE ka treguar gadishmërinë për investime tjera.










