.
Published On: Sun, Apr 6th, 2014

Thaçi në Gjakovë: Viti i parë i studimeve “gratis”

Share This
Tags

thaci-Gjakovë- Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se në mandatin e ardhshëm qeveritar, gratë duhet të kenë pjesëmarrje të barabartë me burrat, ndërsa ka premtuar një sërë masash përfituese për këtë kategori të shoqërisë dhe jo vetëm.

Këto premtime, që tashmë janë bërë pjesë e zakonshme e agjendës së tij ditore, kryeministri i ka bërë të dielën në Gjakovë, teksa ka marrë pjesë në një kuvend zgjedhor të degës së gruas demokratike në këtë komunë. “Gratë në Kosovë duhet të kenë të njëjta të drejtë me burrat. Prandaj, ju premtoj se që në mandatin e ardhshëm gratë do të kenë një pjesëmarrje 50 me 50 me burrat. E përpos kësaj, ne do të rrisim numrin e vendeve të punës për gratë, nëpër bizneset e grave. 10 milion euro në vit, nga fondi i ri i punësimit, do të ndahen për bizneset 50 përqind e punëtorëve të së cilave janë gra.

“Ashtu siç e kemi realizuar premtimin për ndërtimin e 100 shkollave, tani do të fillojmë ndërtimin e çerdheve, sepe asnjë grua nuk duhet të zgjedhë ose punën ose fëmijët. PDK këmbëngulë se gratë munden edhe të punojnë edhe të jenë familjare. Gjykatat duhet patjetër tu sigurojnë grave drejtësi të barabartë mbi çështjet e trashëgimisë. Duhet t’i themi stop diskriminimit në ndarjen e pasurisë familjare. Gjithashtu, dënimi prej 6 muaj burg duhet të kthehet në dënim të obligueshëm për dhunën në familje”, ka thënë kryeministri Thaçi.

E në vazhdën e premtimeve të tij, Thaçi ka thënë se rëndësia më e madhe do t’i kushtohet shkollimit të femrës, pasi sipas tij, nëse gratë janë të suksesshme, atëherë edhe shteti i Kosovës do të jetë i suksesshëm. “Insopektorët e arsimit do të kontrollojnë rregullisht nëse prindërit ua mohojnë vajzave të tyre të drejtën për shkollim.

Asnjë prind nuk duhet për asnjë arsye ta ndalojë shkollimin e vajzave. Duhet ta ndihmojmë financiarisht pjesëmarrjen e gruas në arsim, prandaj kam vendosur ta ulë koston e shpenzimeve universitare për 50 përqind për të gjithë studentët. Ndërsa prej vitit tjetër, viti i parë i studimeve do të jetë gatis për të gjithë maturantët kosovarë. Kjo do t’i ndihmojë shumë familjet që t’i dërgojnë fëmijët e në veçanti vajzat e tyre në universitet”, ka përfunduar ai./zeri/