.
Published On: Fri, Aug 22nd, 2014

Mbeturinat, kush e ka fajin?

Share This
Tags

mbeturina-Menaxhimi i mbeturinave mbetet njëra ndër sfidat kryesore të përditshmërisë për komunën e Gjakovës. Ndonëse angazhimi në këtë drejtim nuk ka munguar asnjë herë, gjendja vazhdon të mbetet brengosëse dhe mbeturinat vazhdojnë të shihen në çdo cep të qytetit dhe fshatrave të Gjakovës.

E ndonëse të gjithë akterët e pranojnë se gjendja është e rëndë, askush nuk e merr mbi vete përgjegjësinë e kësaj gjendje, por fajin vazhdojnë ta hedhin tek njëri-tjetri. Përderisa qytetarët ankohen në mos efikasitetin e institucioneve dhe kompanive përkatëse për menaxhimin e mbeturinave, këto të fundit gishtin e fajësisë e drejtojnë pikërisht tek qytetarët.

Sipas përfaqësuesve të kompanisë “Çabrati” shumë qytetarë tregohen të pa ndërgjegjshëm dhe nuk i paguajnë obligimet e tyre ndaj kompanisë. Si pasojë e kësaj, këta qytetarë mbeturinat i hedhin në vende publike në sasi të mëdha dhe kjo krijon pamje të shëmtuara me grumbuj të mëdhenj të mbeturinave. Sfidë e madhe në këtë drejtim mbetet edhe pastërtia e lumenjve, të cilët po vazhdojnë të jenë cak i hedhjes së shumë mbeturinave, qoftë atyre organike e qoftë atyre inerte.

E në tërë këtë mes, një pjesë e përgjegjësisë bie edhe mbi komunën e Gjakovës, institucion i cili përkundër kërcënimeve të vazhdueshme, ende nuk ka filluar me aplikimin e gjobave dhe ndëshkimeve për hedhësit e mbeturinave dhe dëmtuesit e ambientit./radiogjakova/