Janar-Gusht, dy vrasje e shumë vjedhje në Gjakovë
Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi, nën kryesimin e kryetares Mimoza Kusari Lila, ka mbajtur mbledhjen e dytë për këtë vit, ku është diskutuar rreth gjendjes së rendit dhe të sigurisë, gjendjen e ambientit si dhe përgatitjet për fillimin e vitit shkollor 2014/2015.
Përkundër disa incidenteve të raportuara në Stacionin Policor në Gjakovë, komandanti i këtij stacioni, eprori Kristë Gjokaj, ka pohuar se gjendja e sigurisë në komunë nuk tregon ndonjë shqetësim të lartë. Sipas raportit të komandantit policor në periudhën janar-gusht të këtij viti, në komunën e Gjakovës janë shënuar dy vrasje, tetë tentime për vrasje, si dhe një vetëvrasje.
Për sa i përket vjedhjeve të raportuara, gjatë kësaj periudhe tetë mujore në komunën e Gjakovës kanë ndodhur 275 raste të vjedhjeve, ndërkaq, sa i përket vjedhjeve të klasifikuara si të rënda është raportuar të kenë ndodhur 272 sish. Për prishje të rendit dhe të qetësisë publike janë raportuar 59 raste, ndërkohë që është raportuar se janë evidentuar tetë raste të arrestimeve dhe bastisjeve me dyshimin për posedim dhe shpërndarje të paautorizuar të substancave narkotike.
Gjendja e sigurisë në trafik është vlerësuar të jetë e mirë, pasi nuk ka pasur aksidente me fatalitet për jetë, ndërkohë që ndaj vozitësve në këtë periudhë të vitit janë shqiptuar 3.400 tiketa gjobitëse. Në këtë takim është diskutuar edhe për dukurinë e lypsarëve dhe shtimin e numrit të tyre, ku nga eprori policor, Kristë Gjokaj, është bërë e ditur se shumica janë nga Shqipëria dhe janë shënuar edhe raste ku janë deportuar. /radiogjakova/










