Interesim i vogël për t’u regjistruar në “Nexhmedina Nixha”
Rreth pesë mijë nxënës të shkollave të mesme të komunës së Gjakovës kanë nisë vitin e ri shkollor me synime që të aftësohen dhe pajisen me dituri të reja.
Derisa në Gjimnazin “Hajdar Dushi” ka pasur interesim të madh për regjistrim dhe qindra nxënës nuk kanë arritur të regjistrohen, sikurse edhe në Mjekësi dhe Ekonomi, në shkollën e mesme teknike, Nexhmedin Nixha, ku janë drejtimet profesionale ka pasur një interesim jashtëzakonisht të ulët.
Ky fakt dëshmon për një orientim të rinisë drejt drejtimeve e profesioneve që janë të lidhura me zyra pune dhe administratë. Kjo gjendje ka shqetësuar drejtuesit e shkollës teknike sepse nga 14 paralele të hapura për shumë drejtime profesionale janë plotësuar vetëm katër paralele.
Adem Muslia, drejtor i shkollës teknike Nexhmedin Nixha ka ftuar nxënësit që të regjistrohen sa më parë në këtë shkollë, pasi profesionet në të cilat aftësohen janë kërkesë e tregut të punës./radiogjakova/










