AAK: Asnjë premtim i realizuar nga Kusari – Lila
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dega në Gjakovë, ka drejtuar të premten një sërë akuzash për qeverisjen lokale dhe për kryetaren Mimoza Kusari – Lila, për, sipas tyre, dështim në realizimin e premtimeve të dhëna gjatë fushatës elektorale. “Meqenëse në vendin tonë po mungojnë mekanizmat, përmes të cilëve qytetarët mund të kërkojnë llogari për premtimet e dhëna gjatë fushatës elektorale, ne si opozitë po e marrim përgjegjësinë që në emër të qytetarëve, të kërkojmë një llogaridhënie nga qeveria komunale që së paku të fillojë realizimin e premtimeve që deri me sot nuk kanë filluar”, ka thënë në nisje të një konference për media sekretari i përgjithshëm i degës së AAK-së në Gjakovë Agim Koci.
E pas Kocit, zyrtari për informim i këtij subjekti, Korab Nimonaj, ka listuar, sipas tyre, premtimet e pa realizuara të qeverisjes komunale dhe të kryetares Kusari – Lila. “Keni premtuar Konferencën e Donatorëve edhe e realizuat si spektakël bukurie por ende nuk e dimë çka fitoj Gjakova dhe qytetarë e saj nga kjo konference… Keni premtuar që në vitin e parë rritje të punësimit, zhvillim ekonomik dhe krijimin e ndërmarrjeve të vogla, dhe të mesme. Ku është ai zhvillim ekonomik? Ku janë ato ndërmarrje të vogla dhe të mesme? Ku është ajo rritje e punësimit?… Keni premtuar se do t’i kthej rininë në Gjakovë. Pse nuk po kthehen, ku janë ata të rinj?… Keni i premtuar që brenda vitit të parë të qeverisjes do të punoni në infrastrukturë. Ku është ajo infrastrukturë e re? Keni premtuar trajtimin e ujërave të zeza, shtrirja e kanalizimit, rregullimin e shtretërve e të gjithë lumenjve të qytetit. Çka po ndodhë pse nuk po fillon implementimi?”, kanë qenë disa nga pretendimet e AAK-së dhe të zëdhënësit Nimonaj.
E të gjitha këto akuza dhe vërejtje, janë quajtur si të pabaza nga zyrtarët e tanishëm komunal, të cilët kanë thënë se me shumë preferojnë të punojnë për të mirën e qytetarëve të komunës së Gjakovës, sesa të merren me AAK-në. “Me këto konferenca të shpeshta, AAK-ja po ngjason në një audio kasetë të vjetër, me shirit të dëmtuar, e cila bën shumë zhurmë por që nuk kuptohet asgjë. Nëse AAK-ja në pozitë kanë qenë shkelës serioz të ligjit, dembel dhe shkatërrues, sot në opozitë janë të pa shpresë, me shkallë të lartë të depresionit dhe pesimistë. Drejtuesve të degës së AAK-së në Gjakovë u dëshiroj këndellje të shpejtë, sepse në asnjë mënyrë nuk po munden të adaptohen në rolin e tyre si opozitë”, ka thënë në përgjigjen e tij Ali Tafarshiku, shef i kabinetit të kryetares Mimoza Kusari – Lila./radiogjakova/










