.
Published On: Thu, Oct 23rd, 2014

Prodhuesit ankohen, Kusari-Lila u jep të drejtë

Share This
Tags

gjakova-Prodhuesit në komunën e Gjakovës po vazhdojnë të ballafaqohen me vështirësi në zhvillimin e veprimtarisë së tyre, vështirësi që në një të ardhme të afërt, sipas tyre, edhe mund t’ua shuajë në tërësi aktivitetin prodhues. Disa prej pak prodhuesve që kanë mbetur në Gjakovë janë ankuar se problem për ta po paraqet importi nga jashtë, në veçanti ai nga Serbia i cili është i padrejtë për shkak të çmimeve më të lira.

Gjithashtu pengesë për prodhuesit vendor po paraqitet edhe jostabiliteti i furnizimit me energji elektrike dhe cilësia e dobët e energjisë. Sipas prodhuesve, ky faktor u ka sjellë shumë dëme atyre, për faktin se disa herë u ka shkatërruar makinat prodhuese. E këto shqetësime të prodhuesve lokal, i ka cilësuar të drejta edhe kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila, e cila megjithatë ka thënë se fajin kryesor për situatën e krijuar e ka niveli qendror.

Ajo ka shtuar se në mungesë të institucioneve qendrore tash e 4 muaj, në Gjakovë janë krijuar shumë bllokada, mes tyre edhe bllokimi i zonës së lirë ekonomike, e cila do të krijonte shumë lehtësira për prodhuesit vendor./radiogjakova/