Serbët reagojnë për rrënimin e shtëpive, Komuna “s’i jep pesë pare”
Aksioni për rrënimin e disa shtëpive – gërmadha në rrugën “Mbretëresha Teutë” në Gjakovë, prona të braktisura nga ish – qytetarët serbë të Gjakovës, e ka nxitur reagimin e këtyre të fundit, të cilët nga Serbia kanë thënë se ky është një provokim dhe një përpjekje për t’i trembur dhe ndaluar serbët të kthehen në komunën e Gjakovës.
I pari që ka reaguar ka qenë Gjokica Stanojeviç, ish – kryetar i dhunshëm i komunës së Gjakovës, aktualisht përfaqësues i ish – banorëve serbë të kësaj komune. Ai ka thënë se këto veprime janë vazhdimësi e veprimeve që shqiptarët po i bëjnë kundër serbëve në komunën e Gjakovës. Ai ka shtuar kjo është përpjekje e qartë për t’i trembur serbët që të mos kthehen në shtëpitë e tyre në Gjakovë.
Stanojeviç ka bërë të ditur se për këtë kanë dërguar letra në të gjitha institucionet dhe organet më të larta ndërkombëtare, nga të cilët kanë kërkuar që të ndërpritet rrënimi i shtëpive dhe ato të kthehen në gjendjen e para disa ditëve. Por, të gjitha këto reagime duket se nuk do ta ndalojnë komunën e Gjakovës për ta quar deri në fund rrënimin e objekteve.
Sipas zyrtarëve komunal, aksioni për rrënimin e këtyre gërmadhave ka ardhur pas kërkesës së banorëve të lagjes, të cilët janë ankuar se në këto objekte të rrënuara po zhvillohet prostitucioni dhe narkomania. Sipas tyre, ky veprim i komunës nuk lejon hapësirë për interpretime politike apo etnike dhe është bërë thjeshtë për sigurinë e qytetarëve./radiogjakova/










