Familjarët e dëshmorëve padisin EULEX-in
Vetëm një ditë pasi zyrtarë të departamentit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe atij të EULEX-in bënë zhvarrimin e 14 trupave në varrezat e martirëve në kodrën e Çabratit, familjarët e tyre kanë dorëzuar në Prokurorinë Themelore të Gjakovës një kallëzim penal, në të cilin kanë përfshirë të gjithë akterët, që sipas tyre, në mënyrë kriminale dhe kundërligjore e kanë bërë zhvarrosjen e këtyre martirëve.
Në Kallëzimin Penal, mes tjerash thuhet se ajo që ndodhi të mërkurën në varrezat e martirëve në Çabrat të Gjakovës, është një veprim jo normal e jo njerëzor. Sipas familjarëve, trupat u zhvarrosën në mënyrë tinëzare e banditeske. E për këtë, familjarët kanë kërkuar që të gjithë ata që kanë dorë në tërë këtë ngjarje, të japin përgjegjësi penale.
Sipas tyre, nëse janë bërë gabime nga ana e mjekëve ligjor, dikush duhet të jep përgjegjësi për dokumentet e lëshuara nga po këta mjekë para 7 vitesh. Familjarët gjithashtu kërkojnë ngritje të procedurës penale për të gjithë pjesëmarrësit dhe urdhëruesit e këtij akti makabër.
Ndryshe, ndonëse në Kallëzimin Penal nuk përmendet emrat e subjekteve ndaj të cilëve pretendohet të ngritët padija, familjarët kanë thënë se në këtë grup hyjnë EULEX-i, Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Ambientit e Planifikimit Hapësinorë, e të tjera./radiogjakova/










