Draft-buxheti përplas asambleistët e Gjakovës
Shqyrtimi i Draft Buxhetit të komunës së Gjakovës për vitin 2015, është pritur me reagime të ndryshme nga asambleistët e komunës sonë, ndërkohë që sipas tyre, vërejtjet më të mëdha kanë konsistuar në devijimin nga Korniza Afatmesme Buxhetore gjatë përpilimit të këtij Draft Buxheti.
Lidhur me këtë drejtori i Drejtorisë komunale për Buxhet e Financa në Gjakovë, Teki Shala, ka thënë se një pohim i tillë i një numri të asamblistëve nuk qëndron fare, meqë sipas tij, gjatë përpilimit të këtij draft-buxheti, është respektuar në përpikëri të plotë Korniza Afatmesme Buxhetore.
Shala ka thënë se padyshim se kërkesat dhe pritjet e qytetarëve tanë janë më të mëdha, mirëpo të gjitha projektet nuk kanë mundur të hyjnë në këtë buxhet, meqë e tillë është situata financiare në komunë. Sa i përket transparencës kur është fjala tek projektet të cilat parashikohet të realizohen gjatë vitit të ardhshëm, Shala ka thënë se tabela e projekteve është më e hapur se kurrë më parë, me emër dhe mbiemër, dhe kjo krijon mundësi që të gjithë qytetarët të kenë mundësi të njoftohen me planin e komunës së Gjakovës për vitin 2015./radiogjakova/










