Ngrohtorja, duket dritë në fund të tunelit
Kur të gjithë tashmë pothuajse janë pajtuar se sivjet vështirë se mund të ketë funksionalizim të Ngrohtores së qytetit, këto ditë janë ndezë disa shkëndija shprese se megjithatë ky institucion mund të vihet në funksion, nëse konsumatorët e tij do të ballafaqohen me situatë emergjente gjatë dimrit.
Këtë lajm e ka dhënë kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila, e cila ka bërë të ditur se bashkë me udhëheqësinë e Ngrohtores janë në përpilim e sipër të një plani emergjent, të cilin do ta përdorin në situatë emergjente. Ajo ka bërë të ditur se me ndihmën e qeverisë së Kosovës pritet të krijohet një rezervë emergjente, e cila do të përdoret në rast të nevojave, konkretisht në rast të rënies drastike të temperaturave.
Ndryshe, Kusari – Lila ka thënë se ky pritet të jetë viti i fundit i krizës për Ngrohtoren e qytetit, për faktin se tashmë po punohet seriozisht në projektin për ndërrimin e lëndës së parë nga mazuti në thëngjill apo lëndë tjera djegëse./radiogjakova/










