.
Published On: Sat, Nov 22nd, 2014

Mbahet “Radiofest 10”, festivali i radiove shqiptare (VIDEO)

Share This
Tags

radiofest-skenaRadio Gjakova ka organizuar për herë të dhjetë festivalin kombëtar “Radiofest” i cili ka grumbulluar rreth 25 radio nga të gjitha trevat shqipfolëse. Juria profesionale ka vlerësuar punën e radiove për një vit në tre gjini të ndryshme, përfshirë radio-reportazh, marketing dhe raport radiofonik.

Nën drejtimin e Nderim Nezirit, me skenografinë e të mirënjohurit Petrit Bakalli dhe mbështetjen e Kuvendit Komunal të Gjakovës, “German Farben”, Hidrosistemi “Radoniqi” dhe Radio Dukagjinit, partnerëve kreativ “Atele 33”, “Exe Design”, “Production Bimi” dhe nikoqirët Hotel “Roma” e Hotel “Kalaja”, “Radiofest” ka arritur të jetë një sukses në vete për herë të dhjetë.

Festivalin e ka hapur kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, nën patronatin e së cilës është mbajtur edhe jubileu i dhjetë i “Radiofestit”. Duke shprehur vlerësimin për Radio Gjakovën, ajo ka thënë se pret që ditë më të mira t’i vijnë këtij mediumi.

Ndërkohë, drejtori i Radio Gjakovës, Skënder Gola pasi shpalosi punën 35-vjeçare të radios dhe festivalit, ka vënë në pah problemet financiare të mediumit që drejton si dhe objektivat që ka Radio Gjakova për t’u shndërruar në Radio Televizionin e Gjakovës.

Siç e do tradita e festivalit, me një fjalë rasti iu drejtohet edhe njëri nga anëtarët e jurisë dhe në këtë rast ishte Hivzi Krasniqi që ka vlerësuar prurjet e sivjetme në “Radiofest”.

Në gjininë e raportit radiofonik me çmimin e tretë është nderuar Radio Lushnja, në vendin e dytë Radio Peja, ndërkaq çmimi i parë i ka takuar Radio Drenicës, për raportin me titull “Pasuritë natyrore në mëshirën e të pamëshirshmëve” të autorit Jeton Rushiti.

Në gjininë e radio reportazhit në vendin e tretë u vlerësua Radio Korça, në vendin e dytë Radio Shkodra, ndërkohë që vendi i parë i ka takuar reportazhit me titull “Zejet që po zhdukën” të Radio Alba të Klinës me autor Agron Bojaj.

Në anën tjetër në fushën e spotit publicitar me çmimin e tretë është nderuar Radio Saranda, Radio “Vati”  nga Shkupi ishte fitues i vendit të dytë, ndërkohë që titullin e më të mirit për reklamë e ka fituar Radio Klea nga Elbasani me autor Taulant Pilavi.

Juria ka ndarë edhe çmimet për ide më të mirë që i ka takuar Radio Kukësit ndërsa për tekst më të mirë Radio Ylberit për reportazhin “Lumi Ibër” me autore Elfije Boletini. Zëri më i mirë i ka takuar Francika Currit nga Radio Gjakova.

Për të argëtuar të pranishmit në sallën e madhe të “Asim Vokshit” janë përkujdesur kori i shkollës “Prenk Jakova”, Ismet Peja, Edi Ermeni, Gentian Gojani e Ardian Këpuska, Yllnor Kurti, Vlona Boshnjaku, Vllaznim e Davin Mamusha e të tjerë./radiogjakova/