Shtohet numri i të papunëve në Gjakovë
Shifrat e të papunëve në rajonin e Gjakovës janë alarmante për nivelin në rritje e sipër, ndërsa shifrat e të punësuarve janë alarmante për nivelin në rënie e sipër. Këto të dhëna dalin nga Qendra Rajonale e Punësimit, institucion i cili edhe ashtu nuk mbledh rreth vetës të gjithë të pa punët e këtij rajoni.
Në fakt, mendohet se numri i të papunëve të regjistruar në këtë qendër është një përqindje e vogël e armatës së të papunëve. Sipas shënimeve të dala nga kjo qendër, që përpos Gjakovës përfshinë edhe Rahovecin e Malishevën, gjithsejtë të papunë të regjistruar janë 14 mijë e 869 punëkërkues aktiv. E nëse shihet vetëm shifra e të papunëve të komunës së Gjakovës, ajo është 6 mijë e 108 të papunë, prej të cilëve 2 mijë e 735 femra.
Sipas zyrtarëve të këtij institucioni edhe numri i të punësuarve nga kjo qendër është në rënie e sipër. Në vitin 2012 nga kjo qendër janë punësuar 1 mijë veta, në vitin 2016 janë punësuar 310 veta ndërsa në vitin 2014 janë punësuar gjithsejtë 613 veta. E për të qenë edhe me keq, mësohet se shumica dërmuese e këtyre të punësimeve janë punësime sezonale, në maksimum 3 deri në 6 muaj dhe atë në ndërtimtari apo bujqësi.
Përkundër këtyre shifrave jo të kënaqshme, zyrtarët e qendrës apelojnë tek të papunët që të paraqiten dhe të regjistrohen në këtë qendër, për faktin se megjithatë kjo mund tu ndihmojë sadopak./radiogjakova/










