Të bashkuar kundër dhunës
Në komunën e Gjakovës me sukses po organizohen aktivitetet lidhur me kampanjën për kundërshtimin e dhunës në familje.
Të enjten është organizuar një debat me rastin e kësaj fushate nga mekanizmi kundër dhunës në familje. Duke ditur rendësinë e pazëvendësueshme që bartin edhe përfaqësuesit e institucioneve komunale, në panel për të diskutuar lidhur për këtë çështje ka marrë pjesë edhe kryetarja e Komunës, Mimoza Kusari-Lila, Kryeprokurorja Shpresa Bakija, Komandanti i Stacionit Policor të Gjakovës dhe përfaqësues nga UNDP-ja.
Kryetarja e Komunës Mimoza Kusari-Lila, ka thënë në këtë rast se të gjitha institucionet kanë për obligim dhe detyrë që të ngrisin mekanizmat për luftën kundër dhunës në familje. Ajo ka thënë se një prej faktorëve që sjell këtë fenomen është edhe situata e rëndë ekonomike, por sipas saj dhuna është prezente edhe në shtetet me sistem të zhvilluar demokratik dhe ekonomik.
“Lufta jonë duhet përqendruar në parandalimin e këtij fenomeni e me rëndësi është edhe paraqitja e rasteve në organet përkatëse dhe të gjithë së bashku të kontribuojmë që veprimet që gjuha e dhunës të mos jetë prezente në mesin tonë”, ka theksuar Kusari-Lila.
Për dhunën në familje ka folur edhe Kristë Gjoka, komandant në Stacionin Policor të Gjakovës, i cili ka thënë se edhe ne si institucion na takon një kënd për të luftuar këtë fenomen. Ndërkohë, që ka paraqitur edhe numrin e rasteve që janë shënuar si dhunë në familjen komunën e Gjakovë gjatë periudhës së shkuar të këtij viti. Për këtë dukuri abuzive në shoqërinë tonë ka folur edhe Kryeprokurorja Shpresa Bakija, përfaqësuesi i UNDP-së Astrit Muhaxhiri dhe udhëheqësja e “Shtëpisë së Sigurtë”, Sakibe Doli-Dobruna.