Më shumë arsimtarë se që ka nevojë shkolla
Në kuadër të përpjekjeve të Drejtorisë komunale të Arsimit në Gjakovë për vendosjen e një rregulli më të mirë në shkolla, janë bërë inspektime gjatë të cilave janë konstatuar shkelje të ndryshme kur është fjala tek puna e mësimdhënësve.
Diana Qarkagjia, drejtoreshë, ka thënë se ka pasur raste kur janë konstatuar se ka numër më të madh të personelit mësimdhënës nëpër shkolla. Lidhur me këtë ajo ka përmendur rastet kur dy-tre arsimtarë kanë dhënë mësim në një lëndë mësimore duke i ndarë nga 5, 6 apo 7 orë mësimi.
Pastaj personel që merr pagë më shumë se që mban orë mësimi, me ç’rast vetëm në një shkollë janë konstatuar se janë paguar për çdo muaj 31 orë mbi normën të cilën e kanë pasur shumica e mësimdhënësve të asaj shkolle.
Pos kësaj drejtoresha Qarkagjia, ka bërë të ditur edhe rastet kur personeli arsimor është pranuar në punë pa konkurs me urdhër të ish-udhëheqësve të Drejtorisë komunale të Arsimit në Gjakovë, pastaj personel me kualifikime jo adekuate, përderisa dhjetëra kandidat të kualifikuar të atij profili kanë mbetur të papunë, e të tjera./radiogjakova/
Foto: Ilustrim