Studentët kërkojnë të ulet çmimi i biletave për Prishtinë
Një grup studentësh gjakovarë kanë bërë një kërkesë, përmes së cilës kërkojnë që të ulet çmimi i biletës së autobusit, në relacionin Gjakovë – Prishtinë dhe anasjelltas.
Ditë më parë, këtë kërkesë studentët ia kanë dërguar edhe kryetares së komunës Mimoza Kusari – Lila, kryesuesit të Kuvendit komunal Luan Gola dhe drejtoreshës komunale të arsimit Diana Çarkaxhija.
Studentët kanë bërë të ditur se pas dërgimit të kësaj kërkese, një grup përfaqësues janë pritur në takim nga kryesuesi i Kuvendit Komunal Luan Gola, i cili i ka konsideruar si të arsyeshme kërkesat e studentëve.
Megjithatë, studentët kanë bërë të ditur, se kryesuesi Gola u ka thënë se një përgjigje rreth kësaj teme mund ta marrin tek në muajin janar, pasi organet komunale ta kenë diskutuar këtë temë edhe me përfaqësuesit e kompanive transportuese.
Ndryshe, një kërkesë e tillë është shumë e hershme, por asnjëherë deri më tani nuk ka gjetur mbështetje. Bile, ish – qeverisja lokale pati marrë vendim për zbritjen e çmimit të biletave, por në pamundësi të marrëveshjes me kompanitë transportuese, një gjë e tillë kishte dështuar./radiogjakova/