.
Published On: Thu, Dec 4th, 2014

Dhuna në baza gjinore mbetet shqetësim për institucionet në Gjakovë

Share This
Tags

tryza-dhuna-grate-asambleisteGrupi i Grave Asambleiste të Komunës së Gjakovës, organizoi një tryezë të rrumbullakët me temën “Parandalimi i dhunës në familje në baza gjinore”. Në këtë tryezë kanë marrë pjesë  përfaqësues të institucioneve relevante të cilat mund të kontribuojnë në zbutjen e situatës aktuale në këtë fushë.

Me këtë rast, kryetarja e Grupit Grave Asambleiste, Sevdije Tara-Haxhibeqiri, ka njoftuar lidhur me rrjedhën e deritashme të fushatës kundër dhunës në familje, ku ndër të tjera ka veçuar edhe takimet në pjesët rurale të komunës si dhe në Lagjen “Ali Ibra” ku kryesisht jetojnë familje të komuniteteve RAE.

Shpresa Bakija, Kryeprokurore në Gjakovë, ka bërë të ditur se gjatë vitit të kaluar janë trajtuar 44 raste të dhunës në familje prej të cilave janë kryer 43, ndërkohë që njëri është bartur për këtë vit. Ndryshe gjatë 11 muajve të vitit 2014, numri i rasteve ka qenë 39, prej të cilave janë kryer 14.

Sipas kryeprokurores, Bakija, në shumicën e këtyre rasteve bëhet fjalë për lëndime trupore për çka duhet të merret raporti nga departamenti i Mjekësisë Ligjore, gjë e cila ndikon në kohën e trajtimit të tyre ligjor.

Në anën tjetër ajo ka thënë se deri vonë, dhuna në familje ka mbetur brenda katër mureve të dhomës, ndërkohë që tash situata ka ndryshuar dhe rastet raportohen nga familjarët ndërkohë që ka raste kur raportojnë edhe fqinjët.

Lidhur me këtë, komandanti i Stacionit të Policisë në Gjakovë, Krist Gjokaj, ka thënë se situatë më e keqe paraqitet në viset rurale, ku vazhdon të  mungoi guximi i grave për t’i raportuar rastet e dhunës në familje. Në anën tjetër angazhimi i policisë për mbrojtje të viktimave të dhunës, sipas komandanti Gjokaj, është permanent dhe për këtë ka veçuar edhe bashkëpunimin me prokurorinë.

Duke folur për faktorët që ndikojnë në përhapjen e kësaj dukurie, Afijete Shala, gjyqtare në Gjykatën Themelore e Gjakovës, ka veçuar mungesën e arsimimit gjë e cila i venë gratë në pozita jo të favorshme, kur është fjala tek e drejta në trashëgimi, meqë gratë rëndom të drejtën e tyre e bartin kryesisht tek vëllezërit.

Sipas gjyqtares, Sada, varfëria e femrave e bënë shumë më të vështirë shmangien e situatave të dhunës ndaj gruas. Tryeza ka vazhduar me pyetjet e të pranishmëve të cilat kryesisht kishin të bëjnë, me gjetjen e mënyrave për zvogëlimin e kësaj dukurie mjaftë prezente në Kosovë./radiogjakova/