Kusari-Lila takim me banorët e Lugbunarit
Në vazhdën e vizitave në terren dhe takimeve me banorë të lokaliteteve, kryetarja e Komunës, Mimoza Kusari Lila, ka pasur një bashkëbisedim me banorët e fshatit Lugbunar, ku nga afër është njohur me nevojat dhe kërkesat që kanë banorët e këtij lokaliteti në dalje të qytetit.
Diana Hajdari, asambleiste e Kuvendit të Komunës, ka falënderuar për vullnetin dhe gadishmërinë e kryetares Mimoza Kusari Lila për këtë takim, në mënyrë që vet banorët të shprehen dhe të njoftohen për mundësitë e përmirësimit të jetës së tyre. Sipas pohimeve të këtyre banorësve, Lugbunari ka nevojë për shtrim të rrugës me asfalt si dhe shtrimin me zhavorr të rrugëve dytësore, kanalizimin, zgjerimin e rrjetit elektrik, ndriçimin publik, renovimin e shkollës së fshatit që konstatohet të jetë në gjendje aspak të mirë, si dhe nevoja tjera të ndërtimit dhe rregullimit të infrastrukturës.
Kusari Lila i ka njoftuar banorët për problemet e trashëguara financiare nga ish qeverisja, dhe për nevojat e shprehura nga banorët e këtij fshati, është shprehur të jenë racionale dhe që do të kenë trajtim adekuat, duke përfshirë edhe shqyrtimin me drejtorët përkatës të drejtorive gjegjëse.
“Të gjitha këto problem të identifikuara dhe të shtruara nga ana juaj do të trajtohen në mënyrë që të shikohet mundësia konkrete për ndërhyrje institucionale, në mënyrë që banorëve tu bëhet jeta më e mirë dhe me perspektivë”, ka pohuar kryetarja Kusari Lila. Ajo e ka ndërlidhur mundësinë e zhvillimit të këtij fshati edhe përmes aeroportit që pritet të jepet me koncesion, ndërsa për rrugën ka thënë se në saje të një projekti të ndërimit të unazës në këtë anë, do të përfitojë edhe Lugbunari dhe banorët e saj.
Por, nuk ka qenë vetëm ky projekt i potencuar nga kryetarja Mimoza Kusari Lila, pasi janë numëruar disa sish që në përgjithësi pritet të investohen në komunën e Gjakovës, përfshirë edhe Lugbunarin dhe se me krijimin e qeverisë së re që është prolonguar për disa muaj, pritet që Gjakova të ketë tretman meritor në ndërtimin e infrastrukturës, dhe se për këtë, qeveria lokale ka qasje positive.










