Festat, inspektorët shtojnë kontrollet
Në prag të festave të fundvitit, është intensifikuar edhe puna e inspeksionit komunal, të cilët janë të vendosur që në mënyrë rigoroze ta bëjnë kontrollimin e ushqimit.
Në Drejtorinë komunale të Inspeksionit kanë bërë të ditur se këto ditë kanë filluar një aksion masiv, përmes së cilit po e bëjnë kontrollimin e afatit të përdorimit të produkteve ushqimore, ndërsa rëndësi të madhe po i kushtojnë edhe mishit dhe produkteve të tij.
Sipas zyrtarëve të inspeksionit, në ditët e para nuk është vërejtur ndonjë masë e madhe e ushqimeve të dyshimta, megjithatë, ata janë të vendosur që aksionin ta çojnë deri në fund, duke bërë kontrollime të vazhdueshme deri në natën e Vitit të Ri.
Nga ana tjetër, zyrtarët e kësaj drejtorie kanë apeluar tek të gjithë qytetarët që në rast se hasin në ndonjë artikull ushqimor të dyshimtë apo me afat të skaduar të përdorimit, ta lajmërojnë menjëherë inspeksionin komunal.
Sipas tyre, me një veprim të tillë qytetarët fillimisht do ta mbrojnë shëndetin e familjarëve të tyre dhe në radhë të dytë do të kontribuojnë në ndihmojnë institucioneve për krijimin e një tregu më të mirë dhe më të shëndoshë në komunën e Gjakovës./radiogjakova/










