Komuna ndihmon komunitetin RAE
Përkundër angazhimit të institucioneve komunale të Gjakovës për ndihmë dhe përkrahje të gjithanshme për pjesëtarët e komuniteteve RAE, pozita e tyre në aspektin e strehimit dhe të punësimit, megjithatë mbetet e rëndë dhe mjaftë e vështirë.
Kështu është vlerësuar në takimin e Komitetit komunal për komunitete që u mbajt dje pasdite, e në të cilin çështje kryesore trajtimi ishte problemi i strehimit dhe punësimit të pjesëtarëve të këtyre komuniteteve.
Duke i bërë një vështrim gjendjes aktuale, përfaqësuesi i Zyrës komunale për komunitete, Bashkim Kurti, ka thënë se në prag të sezonit dimëror komuna ka mbështetur familjet e komuniteteve RAE me stufa dhe lëndë djegëse për ngrohje si dhe ka bërë pagesën e qirasë mujore për strehim të disa familjeve.
Po ashtu,komuna ka ndarë edhe 83 bursa për shkollimin e të rinjve të komuniteteve RAE. Mirëpo mbetet shqetësues fakti se 128 familje të këtyre komuniteteve nuk e kanë të zgjidhur problemin e strehimit, ndërsa shpresa për punësimin e qindra të rinjve të pa punë është gjithnjë e më e vogël.
Anëtarët e Komitetit komunal për komunitete në këtë takim janë dakorduar që ‘i fillojnë përgatitjet për hartimin e një strategjie që do të mundësonte lehtësimin e kushteve për strehim dhe punësim të pjesëtarëve të këtyre komuniteteve në komunën e Gjakovës./radiogjakova/










