.
Published On: Fri, Dec 12th, 2014

Kusari-Lila: 2015-ta vit i sfidave për zhvillim ekonomik

Share This
Tags

mimoza-konferenceKryetarja e Komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila ka marrë pjesë në tryezën përmbyllëse të organizuar nga Un-Habitati me temën: “Për qytete më të mira – një dekadë së bashku”.

Në panelin diskutues ishin prezent Sekretari Gjeneral i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Arben Çitaku, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu, kryetari i komunës së Pejës,  Gazmend Muhaxheri, kryetari i komunës së Hanit të Elezit Rufki Suma dhe koordinatorja e programit Fredrich Ebert Foundation, Besa Luzha.

Gjatë tryezës u diskutua për zhvillimin e qëndrueshëm të komunave në Kosovë dhe për objektivat që përfaqësuesit e pushtetit lokal dëshirojnë të arrijnë. Kryetarja e komunës së Gjakovës theksoi që ekziston sfida në mes të koordinimit për zhvillimin urban, ruajtjen e trashëgimisë kulturore, zhvillimit ekonomik dhe social, dhe mbrojtjes së mjedisit.

Si fokus kryesor për zgjidhjen dhe planifikimin komunal të komunës së Gjakovës, Kusari – Lila veçoi infrastrukturën, ku Gjakova si zonë kufitare ka përparësi në bashkëpunimin e ndërsjellë me Shqipërinë, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, dhe lirimin e hapësirave publike.

Kusari–Lila më tej shtoi se prioritetet kryesore të komunës së Gjakovës për vitin 2015 janë zhvillimi ekonomik, legalizimi i ndërtimeve pa leje deri në shkurt të vitit 2015, themelimi i zonës së lirë ekonomike, definimi i zonës për parkun industrial, përmirësimi i shërbimeve publike ku do të implementohet projekti për menaxhimin e mbeturinave si dhe planifikimi hapësinor për Shkugëzen e Çabratin./radiogjakova/