.
Published On: Thu, Jan 15th, 2015

Kusari- Lila: Jabllanoviq në Qeveri për interesa të ngushta

Share This
Tags

mimoza-kryetareKryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila, në Interaktiv të KTV-së, bisedën e ka nisur me faktin se protesta është e njohur si e drejtë me Kushtetutën e vendit.

E nuk ka vonuar për të thënë se ministri i Qeverisë Mustafa, Aleksandër Jabllanoviq, ka shkaktuar disa shkelje rresht.

Së pari, sipas Kusari – Lilës, nga pozita e tij zyrtare ai ka ofenduar një kategori të caktuar të njerëzve e cila në fakt është shumë e ndjeshme, nënat që nuk dinë se ku i kanë më të dashurit e tyre, e së dyti, ai vazhdon të kamofllojë kinse nuk paska ditur se çka ka ndodhur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Të pakuptimtë e ka quajtur ajo heshtjen dhe mosreagimin e zyrtarëve të lartë të Qeverisë.
“Kryeministri Mustafa së pari është dashur që ta thërret Jabllanoviqin dhe të kërkojë nga ai që të tërheq atë deklaratë, ndërsa tash është tepër vonë”, ka thënë Kusari Lila.

Kusari ka thënë se si kryetare e Komunës së Gjakovës, ka thënë se individë të caktuar nuk do duhej të lejoheshin që të vijnë për të bërë pelegrinazh, për arsye se vijnë për të provokuar me deklarata të tyre.

“Nëse vizita është thjeshtë për rite fetare ata mund të vijnë për ta bërë atë në qetësi, e jo për të kryer provokime me deklarata në një vend në të cilin ende nuk janë gjetur viktimat e luftës”, ka thënë ajo.

Kusari Lila ka thënë se ish kolegu i saj në Qeverinë “Thaçi 2”, Sllobodan Petroviq, e ka telefonuar për, siç ka thënë, t’i kërkuar falje dhe për t‘i thënë se i vjen keq nga ato që ka dëgjuar t’i ketë thënë Jabllanoviq.

Për këtë ministër ka thënë se është në Qeveri për interesa të ngushta, dhe se ai nuk punon as për interesat e të gjithë serbëve në Kosovë, e lëre më për komunitetet e tjera, siç e ka të përcaktuar në bazë të detyrave që ka marrë përsipër në Qeveri, si ministër për kthim dhe komunitete.