Grevë në dy orët e para në shkollat e Gjakovës
Në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të komunës së Gjakovës ka vazhduar greva e mësimdhënësve, e cila po mbahet për të kërkuar zbatimin e kontratës kolektive dhe rritjen e pagave sipas premtimit. Siç ka bërë të ditur kryesindikalisti i arsimit në Gjakovë, Sali Maliqi, gjatë ditës së sotme grevë është mbajt në dy orët e para të mësimit.
Kjo praktikë është zbatuar nga mësimdhënësit e turnit të paradites, ndërsa është respektuar edhe nga ata të pasditës. Sipas Maliqit, mësimdhënësit gjakovar, por edhe ata kosovarë janë të vendosur të shkojnë deri në fund me kërkesat e tyre për zbatimin e kontratës kolektive.
Sipas tyre është e pa pranueshme që kontrata kolektive të plotësohet pjesërisht ashtu siç po pretendon qeveria dhe Ministria e Arsimit, por kjo kontratë duhet të plotësohet plotësisht dhe pa asnjë devijim. Maliqi ka bërë të ditur se dita e ardhshme e grevës do të jetë e premtja e javës së ardhshme, kur është planifikuar që të mbahet grevë gjatë tërë ditës.
E nëse edhe pas kësaj nuk ka lëvizje pozitive në realizimin e kërkesave të tyre, atëherë do të fillojë organizimi i grevës së përgjithshme, që shkon deri në bojkotim të tërësishëm të procesit mësimor./radiogjakova/