Bora vështirëson qarkullimin e këmbësorëve
Reshjet e borës që kanë rënë gjatë tërë ditës së enjte dhe kanë vazhduar edhe mbrëmë deri në orët e vona, e kanë vështirësuar në masë të konsiderueshme qarkullimin e lirë të banorëve të komunës së Gjakovës.
Situata është dukshëm më e rëndë për këmbësorët, të cilët janë të detyruar të ecin nëpër trotuaret me plot borë dhe të pa pastruar fare. Probleme po vërehen edhe nëpër disa udhëkryqe në të cilët nuk funksionojnë ujëmbledhësit dhe si pasojë janë grumbulluar sasi të mëdha të ujit.
Nga ana tjetër, të gjitha rrugët janë të pastruara dhe të kalueshme për automjetet. Këtë e konfirmojnë edhe zyrtarët komunal, të cilët thonë se janë duke e përcjellur më vëmendje gjendjen e krijuar pas të reshurave.
Zëdhënësja e komunës Abetare Domi ka thënë se kompanitë e kontraktuara për pastrim dhe mirëmbajtje kanë ndërhyrë me aq sa ka pasur nevojë, ndërsa janë të gatshme që të ndërhyjnë përsëri nëse kërkohet. Ndryshe, duke u bazuar në përvojat e deritashme, bora e rënë në këtë pjesë të vitit llogaritet si bora e fundit e dimrit dhe e njëjta pritet të shkrihet shumë shpejtë, për t`ja lëshuar vendin dalëngadalë ditëve të bukura të pranverës./radiogjakova/