.
Published On: Thu, May 28th, 2015

Ka filluar regjistrimi i fëmijëve në klasën e parë fillore

Share This
Tags

shkolla-yll-morina

Që nga 15 maji ka filluar regjistrimi i fëmijëve në klasën e parë fillore, konkretisht faza e parë e këtij regjistrimi e cila përfundon në fund të muajit qershor me përfundimin e vitit shkollor 2014 – 2015.

Ndërsa, faza e dytë e cila zgjatë më pak fillon në gjysmë të muajit gusht, për të përfunduar në fund të atij muaji, konkretisht me fillimin e vitit të ri shkollor. Megjithatë, nga drejtoria komunale e arsimit kanë apeluar tek prindërit që regjistrimin e fëmijëve të tyre ta bëjnë gjatë këtyre ditëve, sepse kjo përveç shumë të mirave tjera, eliminon tollovinë si dhe krijon lehtësira edhe për shkollat dhe për sistemimin e këtyre nxënësve nëpër klasë.

Ndërkohë, si çdo vit tjetër edhe këtë herë sfida për shkollat dhe për drejtorinë e arsimit mbetet dëshira e prindërve për përzgjedhjen e mësuesve. Por, në drejtorinë e arsimit thonë se prioritet në këtë rast do të ketë shpërndarja e drejtë dhe e barabartë e nxënësve dhe për këtë është drejtoria e shkollës ajo që vendos.

Megjithatë, edhe kjo shpërndarje pritet të bëhet me kompromis dhe në bashkëpunim me prindërit e mësuesit. Ky proces po përcillet me interesim edhe për faktin se për çdo vit numri i fëmijëve të regjistruar në klasën e parë po zvogëlohet, si pasojë e zvogëlimit të natalitetit por edhe migrimit të popullatës.