Gjakoves i kthehet kultivimi i vreshtarisë

Nga një komunë që dikur shquhej për vreshtarinë, Gjakova sot është kthyer në një komunë kur për këtë kulturë bujqësore flitet shumë pak ose nuk flitet fare. Dikur në Gjakovë ka pasur rreth 1 mijë e 700 hektarë të mbjella me hardhi rrushi.
Prej tyre vetëm ‘Ereniku’ ka pasur 1 mijë e 100 ndërsa pjesa tjetër i ka takuar Kooperativës së Becit dhe fermerëve privat. Aktualisht, sipas shënimeve të fundit, në tërë territorin e komunës së Gjakovës nuk janë më shumë se 75 hektarë dhe atë vetëm në pronë private.
Situata në të cilën ndodhet vreshtaria në komunën e Gjakovës konfirmohet edhe në drejtorinë komunale të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Por, drejtori komunal për Bujqësi Bekim Ermeni, thotë se komuna kohëve të fundit e ka intensifikuar angazhimin që sipërfaqja e mbjellur me hardhi rrushi të rritet gradualisht.
Sipas drejtorit, synimi është që në vitin 2014 sipërfaqja me vreshta të rritet për 1 hektarë ndërsa përgjatë mandatit 4 vjeçar të shtohen gjithsejtë 20 hektarë. Në vitin 2014 drejtoria ka investuar rreth 12 mijë e 500 euro për ngritjen e një hektari me vreshta dhe këtë shumë do ta rrisë edhe në vitin 2015 dhe vitet tjera të mëvonshme.










