.
Published On: Sat, Jun 6th, 2015

Kerkesa për punë në Qendrën Rajonale të Punësimit në Gjakovë

Share This
Tags

duam_pune-ft

Gjatë muajit të fundit përkatësisht muajit maj, në Qendrën Rajonale të Punësimit në Gjakovë, janë regjistruar edhe 66  persona të rinj të cilët kërkojnë të punësohen përmes kësaj qendre. Kështu pas përfundimit   të muajit të pestë të këtij viti, numri i tërësishëm i personave të cilët figurojnë si të papunë në Qendrën Rajonale të Punësimit në komunën tonë, ka arritur në 6  mijë e 393, prej të cilëve  2 mijë e 823  janë femra.

Brengosëse është e dhëna se rreth  69  përqind e tyre apo më saktësisht 4 mijë e 407 persona janë të moshës më produktive përkatësisht nga 16 deri me 39 vjet. Kur është fjala tek struktura kualifikuese, numri më i madhe i të papunëve, të regjistruar në qendrën rajonale të punësimit në Gjakovë janë me shkollë të mesme, gjithsejtë 3 mijë e 24 persona, ndërkohë që numri i qytetarëve me shkollim superior të cilët janë te regjistruar si të papunë në qendrën në fjalë është 129.

Në anën tjetër, sa i përket ecurisë së  punësimit në komunën tonë, si jemi njoftuar nga Kujtim Dula, drejtor i Qendrës Rajonale të Punësimit në Gjakovë, marrë në tërësi gjatë periudhës janar-maj të këtij viti, përmes ndërmjetësimit të kësaj qendre janë punësuar 125 persona, prej të cilëve 40 femra, ndërkohë që vetëm gjatë muajit të kaluar realizimin e këtij qëllimi krucial jetësor e kanë arritur  31 persona. Sa i përket vendeve të lira të punës të shpallura nga organizatat entet dhe institucionet e ndryshme në

Gjakovë, që nga fillimi i vitit numri i vendeve të lira ka arritur në gjithsejtë 246. Në këtë drejtim gjatë muajit të kaluar, përkatësisht muajit maj, janë shpallur të lira 51 vende  të punës,  prej të cilave 27 janë në lëmin e shërbimeve, 15 në tregti, 6 vende të lira kanë shpallur objektet hoteliere dhe restorantet në komunën tonë, ndërkaq 3 mundësi të punësimit kanë qenë në bujqësi.

Ndryshe, përkatësia kombëtare e  atyre që presin të gjejnë ndonjë vend pune përmes Qendrës Rajonale të Punësimit në Gjakovë, 91.5 përqind janë shqiptarë ndërkaq 500 persona janë të etnive tjera.