Nga projekti DEMOS, do të realizohen tri projekte me rëndësi për banorët e Gjakovës

Disa muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes për përfitimin e projektit DEMOS, kryetarja e komunës Mimoza Kusari – Lila e ka nënshkruar edhe kontratën përfundimtare për marrjen e grandit nga ky projekt.
Sipas kryetares Kusari – Lila, nga ky fond, të cilit do t’i shtohen edhe fonde tjera komunale do të realizohen tri projekte me mjaft rëndësi për banorët e komunës sonë, dhe ato janë ndërtimi i rreth-rrotullimit të ri tek Stacioni i Autobusëve, ndërtimi i shëtitores në rrugën “Skënderbeu” dhe shenjëzimi i objekteve të trashëgimisë kulturore në qytetin e Gjakovës.
Sipas kryetares Kusari–Lila, komuna e Gjakovës i është falënderuese Qeverisë zvicerane, jo vetëm për mbështetje në kuadër të projektit DEMOS, por edhe në mbështetje tjera që kjo qeveri në vazhdimësi ja ka dhënë komunës sonë.










