Lypsarët bezdisin tejmase qytetarët

Është bërë tejet e bezdishme prezenca e lypsarëve nëpër rrugët e qytetit tonë, lypsarë të cilët kryesisht vijnë nga Shqipëria.
Në dhjetë minuta sa mund të pishë një kafe në ndonjërin prej lokaleve të qytetit, janë 5 apo 6 lypsarë të tillë që të ofrohen të kërkojnë lëmoshë prej teje. Qytetarët thonë se kjo gjë ka filluar t’i iritojë ata, por në të njejten kohë edhe t’i vendosë në një pozitë të palakmueshme, për faktin se jo gjithmonë kanë mundësi tu japin para këtye lypsarëve.
E të shqetësuar me numrin e madh të lypsarëve, veçanërisht të atyre nga Shqipëria, janë shprehur edhe përfaqësuesit institucionalë.
Në Qendrën për Punë Sociale në Gjakovë thonë se përkundër angazhimit të përbashkët të institucioneve, situata po vazhdon të përkeqësohet çdo ditë e më tepër.
Në këtë institucion që bashkë me policinë e komunën është pjesë e Task Forces lokale kundër lypsarëve, thonë se lypsarët nga Shqipëria deri me tani kanë hyrë në mënyrë të organizuar, formë kjo e cila është ndërprerë si pasojë e angazhimit të Task Forcës.
Megjithatë, përkundër ndalimit të hyrjes së organizuar nëpër pikat kufitare, këta lypsarë po i shfrytëzojnë format ilegale të hyrjes në komunën e Gjakovës.










