.
Published On: Sat, Aug 1st, 2015

Nis pelgrinazhi tradicional tek vendpushimi i shenjtë në Malin e Pashtrikut

Share This
Tags

gjakova-rrethi-kazerma
Sot, me 1 gusht, nis pelgrinazhi tradicional tek vendpushimi i shenjtë në Malin e Pashtrikut, duke shënuar kështu vitin 401, apo duke hyrë në shekullin e pestë të pelegrinazhit, që organizohet nën përkujdesjen e Teqesë së Madhe Autoqefale Ballkanike – me seli në Gjakovë e Prizren.

Ky pelegrinazh trejavor, që nis më 1 dhe përfundon më 21 gusht të secilit vit, i përkushtohet nderimit të figurës së shenjtorit, Shkëlqesisë së Tij Sari Salltyk Babës, në këtë vendpushim që është njëri prej më të rëndësishmëve ndër 72 vendpushimet e Tij në terrritoret ballkanike.

Vend-pelgrinazhi i Pashtrikut është nën përkujdesjen e Teqesë së Madhe Autoqefale Ballkanike qysh 401 vjet më parë, pikërisht në gushtin e vitit 1614, nën udhëheqjen e misionarit të parë Tarikatit Saadi në Ballkan dhe Evropë, Postmbajtësit të parë të Teqesë së Madhe Autoqefale Ballkanike, Sheh Sulejman Axhiza Babës.

Në nisje të kësaj dite të shënuar, Teqja e Madhe Autoqefale Ballkanike, përcjelli mesazhin për paqe dhe harmoni mes njerëzve.  Ky mesazh adresohet kundër të gjithë atyre që bëjnë masakra dhe terrorizojnë botën në emër të besimit mysliman.

“Askush nuk ka të drejtë që në emër të besimit të bëjë terror. Asnjë besimtar nuk duhet të jetë pjesë e këtyre veprave, e shqiptarët aq më pak”, thuhet mes tjerash në mesazhin e Teqes së Madhe Autoqefale, nënshkruar nga postmbajtësi i kësaj teqeje sheh Musa Shehu.