AFIRMIMI I LETËRSISË SHQIPE NË BOTË
U BOTUA NË POLONISHT
Një libër me poezi të zgjedhura ‘Listy do Ewy’ (Letra Evës) të poetit dhe përkthyesit tonë të njohur Mazllum Saneja doli këto ditë nga shtypi në botim të shtëpisë së njohur botuese polake ‘Komograf’ të Varshavës. “Listy do Ewy” (Letra Evës) është titulli në polonisht që ka marr libri me poezi i Mazllum Sanejës.
Parathënien e librit e ka shkruar poeti, prozatori dhe kritiku i njohur polak në botë Andrzej Zaniewski, i cili ndër të tjera shkruan se ‘Mazllumi Saneja është gjithnjë në kërkim të së vërtetës për vetveten.Ai ndien nevojën e rrëfimit, të pëshpëritjes, të përshkrimit të ndjenjave të veta.
Ai jeton në bredhëritje në mes vendeve, të cilat e kanë zgjedhur. Apo ndoshta ndërmjet atdheve, në të cilat është i diktuar përmes fatit, situatës dhe, gjithashtu përmes mbrojtjes së dashurisë. Tronditës është ai besimi dhe karakteri i tij i pathyeshëm në fuqinë e fjalës, që është më e fuqishme se muret,grilat, burgjet, terrori, shfarosja.
Dhe me fjalën poetike, Mazllumi shkruan dhe lëron vargun poetik me një mjeshtëri të rallë.Me forcën biblike të profetëve dhe me përulësine e poetit, duke shkruar gjithnjë i vetmuar fillikat në grumbull njerëzish – tingëllojnë strofat e kësaj poezie, për të gjithë ata që kanë mbijetuar ose mbijetojnë sikur autori.
Dhe, dashuria, një dashuri e thellë e një njeriu me përvojë dhe të thekur – e kredhur në zhgënjime është e përshkuar me plot frikë, shqetësime, çaste pasigurie dhe, si e tillë duhet të jetë. Eva, heroina lirike e ‘Letrave’ e shikon poetin e vet rebel, me një ndjeshmëri dhe mirëkuptim. E bota rreth e përqark shtyp, këmbëngul, rrethon.
Po, kjo botë është edhe false, e gënjeshtërt, hipokrite dhe e pamëshirë në gjykimet e veta, e verbër dhe e shurdhër-dhe tërë ky imazh e tmerron poetin e rraskapitur nga sprovat e jetës së vështirë… ‘Letra Evës’ janë një dëshmi e hidhur e kohës, reflektim i dilemave tona qytetëruese, të goditura dhe të ngjeshura me ndjenjën e vërtetë njerëzore. Me fuqinë dhe saktësinë e fjalës poetike, Mazllum Saneja na përkujton Rafael Albertin apo frazat subtile të Federico Garcia Lorces..
Në letrat e tij poeti damkos, stigmatizon turpin e botës së përdhosur çfarë janë luftërat, uria, dëshpërimi, spastrimet etnike, indiferenca…Poeti i revoltuar dhe i mbyllur ne vetvete, nganjëherë i inatosur dhe i zemëruar vështron kohën si një materie e veçantë eksplozive.
Le të themi për fund se, Mazllum Saneja me poezinë e vet na trondit, na shkëput nga ëndërrimet tona – me sa nuk jemi të zgjuar, futet në jetën tonë, në jetën time dhe, bëhet mik, pelegrin i përbashkët, udhërrëfyes në udhëtimin e tij si Prometeu. Së fundi, na ushqen shpirtërisht me ngrohtësinë sugjestive të lirikave të veta në këtë kohë marramendëse…”










