Vizita e Mustafes, debat i ashpër në mes të tij dhe kryetares Mimoza Kusari – Lila

Vizita e djeshme e kryeministrit Isa Mustafa në Gjakovë e ka ringjallur debatin e ashpër në mes të tij dhe kryetares së komunës Mimoza Kusari – Lila.
Kjo e fundit është ndjerë e fyer nga injorimi që i ka bërë kryeministri, duke mos e ftuar fare që të jetë pjesë e vizitave të tij në Gjakovë. Në një deklaratë për radion Gjakovën, Kusari – Lila ka thënë se është ndjerë e habitur me këtë veprim të kryeministit.
Sipas saj, kompania të cilën e ka vizituar kryeministri është një kompani me bashkëpunim të gjërë me komunën prandaj prezenca e saj vetëm sa do ta nxiste rritjen e këtij bashkëpunimi. Sipas Kusari–Lilës, një veprim të tillë kryeministri Mustafa nuk do ta bënte nëse Gjakova do të udhëhiqej nga një kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kusari–Lila ka shtuar se Gjakova dhe Kosova kanë nevojë për bashkëpunim e jo për tregime të ndarjes e përqarjes. Nga ana tjetër, i pyetur rreth mosftesës së kryetares Kusari–Lila, kryeministri Mustafa i ka thënë radio Gjakovës se nuk e kanë pasur në agjendë takimin apo pritjen nga zyrtarët komunal, për faktin se kanë pasur kontakte të drejtëpërdrejta me një kompani që udhëhiqet direkt nga niveli qëndror. Sipasi tij, ai e ka pasur një takim të mëhershem me kryetaren Kusari–Lila, prandaj edhe një takim i dytë ka qenë i panevojshëm.










